Më 29 qershor 1444 u zhvillua Beteja e Torviollit ku Skënderbeu mposhti forca të mëdha osmane .
Pak muaj më parë 2 mars 1444, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte formuar Besëlidhjen e Lezhës, konfederatë princash arbërore në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Sulltan Murati II e kuptoi rrezikun e këtij bashkimi, dhe menjëherë dërgoi një forcë prej 25-mijë trupash me në krye një nga komandantët e tij më me përvojë, Ali Pashën e Shkupit.
Skënderbeu e kishte parashikuar taktikën osmane (ai kishte qenë gjeneral i Sulltanit), me 15 000 ushtarë u nis dhe i doli përpara ushtrisë së Ali Pashës. Ata u takuan në fushën e Torviollit, ku ngritën fushimet përballë njëri-tjetrit.
Një ditë më pas, më 29 qershor, herët në mëngjes, Ali Pasha doli nga kampi dhe pa se Skënderbeu i kishte pozicionuar forcat në fund të një kodre. Me besim për një fitore të shpejtë, ai sulmoi me gjithë sa kishte.Skënderbeu e priste një manovër të tillë, prandaj një pjesë të trupave e kishte fshehur në pyjet prapa krahëve të ushtrisë osmane kur osmanët vërshuan, Skënderbeu dha sinjalin, dhe sulmi ishte i befasishëm.
Rezultati ishte shkatërrues mbasi 22 mijë ushtarë osmanë u vranë, pashai mezi shpëtoi ndërsa në radhët e shqiptarëve pati relativisht shumë pak të vrarë, vetëm disa qindra.
Fitorja forcoi besimin e bashkimit shqiptar , ngriti moralin e mbarë Evropës dhe miti i pathyeshmërisë osmane u thye.Kjo ishte fitorja më e madhe ndaj Perandorisë Osmane në atë kohë dhe shënoi fillimin e 25 vjet luftërash të pandërprera të Gjergj Kastriotit.