570 vjet më parë , më 29 maj 1453 , pas rrethimit prej 2 muajsh, Konstandinopoja bie në duart e trupave osmane të udhëhequra nga 21 vjeçari, sulltan Mehmed II. Pas kësaj, qyteti merr emrin Stamboll, duke u bërë kryeqyteti i perandorisë osmane dhe kryeqendra e kulturës islame, ndërsa Kisha e “Shën Sofia” u shndërrua në xhami – me kaq mori fund edhe Perandoria Bizantine së bashku me perandorin e saj Konstandin XI.
Osmanët qenë të vendosur për të pushtuar Kostandinopojën; bizantinët të vendosur për ta mbajtur atë. Në 26 maj, Mehmeti dhe gjeneralët e tij vendosën të nisin një sulm të madh, ndaj dhe filluan përgatitjet. Jeniçerët, trupat elitë të ushtrisë osmane, të përbëra tërësisht nga djemtë e krishterë të rrëmbyer në zonat e pushtuara, dhe të stërvitur për vite me radhë që fëmijë, u lanë rezervë, në pritje për të dhënë goditjen përfundimtare.
Në prag të pushtimit, perandorit iu dha një shteg për të iku, por ai u përgjigj: “Zoti mos e dhëntë të jetoj si perandor pa perandori” dhe vdiq duke luftuar. Trupi i tij u gjet mes të vrarëve dhe u dallua nga këpucët e kuqe me dy shqiponja të zeza dy krerëshe qëndisur në to. Kryeqyteti i Bizantit që kishte filluar me Konstadinin e madh nga Nishi i Ilirisë më 330, përfundoi me Konstandinin nga Dragashi i Dardanisë në vitin 1453. Pas kësaj, në 200 vitet e ardhshme, perandoria osmane do të vazhdonte zgjerimin e saj.
Rënia e Kostandinopojës, pati pasoja të mëdha edhe për Evropën. Shumë grekë dhe popujt e tjerë të Ballkanit, nga frika e vdekjes apo konvertimit të detyruar në fenë islame, emigruan në perëndim përtej detit Adriatik, në Itali. Shumë prej atyre refugjatëve mori me vete pasuri të mëdha të artit dhe dijes së lashtë, duke ndihmuar Rilindjen Evropiane.