BALADË
E di që shumë vajza më deshën
ca provokuese, ca të heshtura pa zë,
po unë në jetën prej gjysmemurgu
prej tyre desha vetëm një.
.
Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë
çarçafi i bardhë herë herë s’i nxë.
Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet
dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.
.
Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen
të heshtura, të zeza një nga një.
Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,
vetem njëra do të qajë me zë.
Bardhyl Londo