Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.
Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”.
Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”.
Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin.
Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.
Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore.
Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.
Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
